Hapet Qendra Edukativo-Terapeutike “Ajnshtajn” – një shërbim i ri social i specializuar në komunitet

Shkup, 20.05.2026 – Në Komunën e Kisella Vodës, zyrtarisht u hap Qendra Edukativo-Terapeutike “Ajnshtajn” – një shërbim i ri social i specializuar në komunitet, i dedikuar për fëmijë dhe të rinj me vështirësi të ndryshme zhvillimore, vështirësi specifike në të nxënë dhe probleme në të folur dhe gjuhë.


Në hapje morën pjesë kryetarja e Komunës së Kisella Vodës, Berti Trajkovska, si dhe zëvendësministri në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe sociale, bashkëpunëtorë profesionalë, prindër dhe partnerë të Shoqatës për Disleksi “Ajnshtajn”. Qendra është themeluar në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale, i zbatuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë me mbështetje nga Banka Botërore, ndërsa Shoqata për Disleksi “Ajnshtajn”, në bashkëpunim me Komunën e Kisella Vodës, është një nga përfituesit e grantit që morën mbështetje për zhvillimin e shërbimeve të reja sociale në nivel lokal.

Qendra Edukativo-Terapeutike “Ajnshtajn” do të ofrojë mbështetje të individualizuar dhe profesionale përmes trajtimeve logopedike dhe defektologjike, planeve individuale të punës, mbështetjes psikosociale, punës me prindërit, aktiviteteve sensore dhe didaktike, si dhe bashkëpunimit me shkollat, Qendrën për Punë Sociale dhe vetëqeverisjen lokale.


Qendra do të punojë me një ekip profesional multidisiplinar, i përbërë nga edukatorë specialë dhe rehabilitues, logopedë dhe profesionistë të tjerë, me qëllim që të sigurohet mbështetje e vazhdueshme për fëmijët dhe familjet e tyre dhe të kontribuohet në përfshirjen më të suksesshme të tyre në procesin arsimor dhe jetën e përditshme. Veçanërisht është e rëndësishme që shërbimet do të jenë të qasshme edhe për fëmijët nga familje në rrezik social, të cilët shpesh nuk kanë mundësi të përdorin trajtime private dhe mbështetje profesionale.