
– Cilat i konsideroni si anët e forta dhe cilat si të dobëta te përfituesit e NMG?
Secili prej nesh ka potencialet dhe vështirësitë e veta. Mënyra se si një person u përgjigjet dhe përballet me to i karakterizojmë si “anë të forta dhe të dobëta”. Përfituesit e NMG kanë me bollëk nga të dyja.
Unë, si “anë të dobët”, do të veçoja izolimin nga mjedisi më i gjerë jetësor dhe pamundësinë dhe mungesën e njohurive se si të dalin prej tij, si pasojë e arsimit të paplotë ose mungesës së njohurive se si të prezantojnë veten në tregun e punës, frikërat që lidhen me financat dhe ndërprerjen e ndihmës minimale të garantuar, si dhe praninë e faktorëve psikologjikë.
Vetëm imagjinoni sa sfidë është për secilin prej jush të ndaloni një zakon që e praktikoni prej vitesh, edhe kur ai zakon është i dëmshëm për ju. Sipas meje, këta persona, të nxitur nga rrethanat e vështira jetësore, janë bërë të shkathët, kreativë dhe të qëndrueshëm, çka përbën një potencial të tyre. Ata kanë përvoja praktike jetësore dhe pune që janë shumë të nevojshme në tregun e punës. Për një pjesë të tyre, mbështetja që jep kjo program i PUBLIC dhe mentorimi social është e mjaftueshme për t’i çuar gjërat përpara.
– Çfarë, sipas mendimit tuaj, mund ta motivojë përfituesin të aktivizohet në tregun e punës?
Puna si mentor social me këto persona tregon se faktori më i rëndësishëm është ai njerëzor. Personat duan të dëgjohen, të shihen dhe të kuptohen. Nëse një person mbështetet dhe respektohet, ai vetë fillon të besojë në veten dhe në aftësitë e tij.
Përveç kësaj, mendoj se është e rëndësishme që personi të gjejë “pse”-në e tij personale, pra arsyen përse dëshiron të aktivizohet në tregun e punës.
Pasi personi ta shohë përfitimin nga punësimi, motivimi për të qëndruar në tregun e punës bëhet më i madh.
– Cilat aftësi te përfituesi i konsideroni si të zhvilluara mirë dhe në cilat fusha mund të përmirësohet?
Çdo person nuk posedon të njëjtin grup aftësish; kjo ndryshon nga një individ tek tjetri. Por, siç e thashë më lart, mendoj se çdo person ka aftësi, kapacitete dhe potenciale që mund të jenë bazë për përfshirje të suksesshme në tregun e punës. Është e rëndësishme që ato të identifikohen dhe të zhvillohen, por edhe të gjendet përputhja mes aftësive të personit dhe kërkesave të vendit të punës.
Në këtë mënyrë, personi do të ndihej se kontribuon dhe do ta ndërtonte vetëbesimin, ndërsa nga ana tjetër puna do të kryhej pa pengesa.
Paralelisht, është e nevojshme të punohet edhe në aftësitë që janë më pak të zhvilluara, por që janë të rëndësishme për kryerjen me sukses të detyrave dhe përgjegjësive të punës, siç janë aftësitë digjitale, aftësitë për kërkim pune, organizimi i kohës dhe zakonet e punës etj.
Ky proces kërkon bashkëpunim dhe mbështetje të koordinuar në disa nivele – nga mentori social, te punëdhënësi dhe mbështetja në vendin e punës, si dhe nga institucionet relevante kur është e nevojshme.
– A kanë përfituesit që tani janë të punësuar perspektiva të reja dhe ndryshime në mënyrën e jetesës, për veten dhe/ose për anëtarët e familjes së tyre?
Te përfituesit vërehen ndryshime në jetën e përditshme, në plan personal dhe në dinamikën familjare.
Në familje, është e nevojshme të kalojë një proces adaptimi, i cili është i ndryshëm për secilin dhe kërkon kohë, mbështetje dhe mirëkuptim. Familja përshtatet me detyrimet e reja; gjenden mënyra të reja për organizimin e kohës, kujdesin për fëmijët dhe punët e shtëpisë.
Përveç ndryshimeve financiare që ndodhin në mënyrë të pashmangshme pas punësimit, vërehet edhe rritje e vetëbesimit, ndjenjë e dobishmërisë dhe përfshirje në komunitet. Te një pjesë e personave ndryshon edhe perspektiva për të ardhmen dhe mundësitë, ndërsa ndryshimet pozitive reflektohen edhe te anëtarët e tjerë të familjes dhe rrethi.
Si një shembull frymëzues do të përmendja personin e mentoruar që udhëheq me sukses biznesin e tij, i cili nisi nga ideja e tij, me mbështetje nga masat për vetëpunësim dhe mentorim të vazhdueshëm. Më vonë në proces është punësuar edhe një anëtar i familjes, gjë që e përmirëson ndjeshëm gjendjen ekonomike të familjes.
Bojana Postolova
Mentore sociale – Asociacioni për hulumtim, komunikim dhe zhvillim PUBLIC



