Nënshkruhen marrëveshje granti me nëntë komuna në kuadër të Thirrjes së Parë Publike të Projektit të Dytë për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale

Shkup, 17.08.2026 – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot nënshkroi marrëveshjet e grantit në kuadër të Thirrjes së Parë Publike për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, në kuadër të Projektit të Dytë për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë kryetarë komunash dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, partnerë në zbatimin e granteve, përmes të cilave në më shumë komuna në mbarë vendin do të vendosen dhe përmirësohen shërbimet sociale, në përputhje me nevojat e popullsisë lokale. Përmes granteve të dhëna mbështetet zhvillimi i shërbimeve sociale të qasshme, cilësore dhe të qëndrueshme në komunitetin lokal, të përshtatura me nevojat e përfituesve dhe të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.

Në kuadër të granteve do të vendosen dhe zhvillohen shërbimet e mëposhtme:

  • Ndihmë dhe kujdes në shtëpi për të moshuarit dhe personat e pafuqishëm në komunat Gazi Babë, Petrovec, Saraj dhe Vallandovë;
  • Qendra ditore për të moshuarit, me fokus në plakjen aktive dhe dinjitoze, në komunat Pllasnicë, Bogovinë dhe Jegunovcë;
  • Qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara, me qasje të individualizuar dhe mbështetje të përshtatshme, në komunat Prilep dhe Krivogashtan.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve po bëjmë një hap konkret drejt afrimit të shërbimeve sociale me qytetarët. Qëllimi ynë është që mbështetja të jetë e qasshme aty ku nevojitet më së shumti, në komunitetin lokal dhe në mjedisin ku jetojnë përfituesit. Njëkohësisht, po forcojmë rolin e komunave dhe të organizatave të shoqërisë civile si partnerë të rëndësishëm në zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale cilësore”, theksoi ministri Vellkovski.

Nënshkrimi i marrëveshjeve përfaqëson një hap konkret në avancimin e sistemit të mbrojtjes sociale dhe vazhdimin e procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale, përmes forcimit të kapaciteteve dhe rolit të vetëqeverisjes lokale dhe sektorit civil.

Me rëndësi të veçantë është fakti se mbështetja është e orientuar drejt shërbimeve që janë më afër dhe më të qasshme për përfituesit në komunitetet e tyre lokale, duke krijuar kushte për ofrimin e mbështetjes në kohë, të vazhdueshme dhe adekuate për personat e moshuar, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që kanë nevojë për këto shërbime.

Përmes Projektit të Dytë për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve vazhdon të mbështesë komunitetet lokale në zhvillimin e shërbimeve sociale që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve dhe kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi më gjithëpërfshirës, më të qasshëm dhe më të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale.

Zbatimi i këtyre granteve paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sistemit të decentralizuar të mbrojtjes sociale, duke mundësuar një përfshirje më të madhe të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve sociale.